Kosovë Lajme

Sindikata e Re e KEK-ut u bën thirrje punëtorëve për protestën e nesërme: Pagë dinjitoze dhe pagën e 13-të

Sindikata e Re e KEK-ut ka ftuar të gjithë punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës që të bashkohen në protestën e paralajmëruar për nesër, më 12 nëntor, në orën 11:00, para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit të KEK-ut në Toskanë.

Përmes një thirrjeje në një postim në FB, sindikata kërkon mobilizim të punëtorëve për të kërkuar pagë të dinjitetshme, pagën e 13-të dhe vlerësimin e kontributit dhe sakrificës së tyre.

Postimi i plotë:

TË DASHUR PUNËTORË TË KEK-ut!

NESËR ËSHTË DITA JONË! DITA KUR ZËRI I PUNËTORIT DUHET TË DËGJOHET!

Së pari, ju falënderojmë nga zemra për punën, mundin dhe angazhimin tuaj të përditshëm, për përkrahjen që i keni dhënë Sindikatës së Re dhe për besimin që keni treguar në përfaqësimin e kërkesave tuaja.

Ju falënderojmë për çdo ditë pune, për çdo ndërrim, për çdo sakrificë dhe për gjithë atë mund që shpeshherë mbetet i pavërejtur, por pa të cilin KEK-u nuk do të mund ta kryente misionin e tij.

Të gjithë e dimë se çfarë pune të rëndë bëjmë në minierë dhe në termocentrale. Përballeni me pluhurin, temperaturat ekstreme, zhurmën, rrezikun dhe përgjegjësinë e madhe për prodhimin e energjisë elektrike. Shpeshherë larg familjeve, në kushte të vështira, ju vazhdoni punën sepse e dini se mijëra familje në Kosovë varen nga energjia që prodhoni.

Por sot kemi një pyetje që secili duhet t’ia bëjë vetes:

A po vlerësohet djersa jonë ashtu siç e meritojmë?

Ne nuk kërkojmë lëmoshë!

Ne nuk kërkojmë privilegje!

Ne kërkojmë dinjitetin që na takon për punën që bëjmë!

Pas çdo page që marrim qëndron një familje që duhet ushqyer, fëmijë që duhet shkolluar, prindër të moshuar që presin kujdesin tonë, fatura që duhet paguar dhe përgjegjësi që nuk presin.

Sa herë jemi kthyer në shtëpi të lodhur, me trupin e rraskapitur, por përsëri kemi gjetur forcë për t’u kujdesur për fëmijët dhe familjen tonë?

Sa herë kemi sakrifikuar shëndetin, kohën me familjen dhe pushimin tonë, vetëm që ta kryejmë detyrën me përgjegjësi?

A nuk e meritojnë fëmijët tanë një jetë më të mirë?

A nuk e meritojnë prindërit tanë të moshuar kujdesin që ua kemi borxh?

A nuk e meritojnë familjet tona një pagë që ua siguron një jetë me dinjitet?

Për këto arsye, Sindikata e Re ka dërguar kërkesat e punëtorëve te menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut. Kemi kërkuar dialog, zgjidhje dhe përgjegjësi institucionale. Megjithatë, deri më tani kërkesat tona nuk kanë marrë zgjidhjen që presin punëtorët.

Prandaj, nesër nuk dalim për inat të askujt. Dalim për veten tonë, për familjet tona, për fëmijët tanë, për prindërit tanë dhe për dinjitetin e çdo punëtori të KEK-ut.

NESËR, MË 12.11.2026, NË ORËN 11:00, PARA ZYRAVE TË MENAXHMENTIT DHE BORDIT TË KEK-ut NË TOSKANË, DUHET TË JEMI SË BASHKU!

Mos lejoni që zëri juaj të mbetet vetëm në vendin e punës. Mos mendoni se dikush tjetër do ta kërkojë të drejtën tuaj. Askush nuk mund ta mbrojë më mirë dinjitetin tuaj sesa vetë ju, të bashkuar.

Nuk ka rëndësi në cilin divizion punoni, në DPQ, në TC Kosova A, në TC Kosova B apo në Sigurinë Fizike. Të gjithë jemi punëtorë të KEK-ut dhe të gjithë meritojmë trajtim të drejtë.

TË BASHKUAR JEMI ZË!

TË BASHKUAR JEMI FUQI!

TË BASHKUAR E MBROJMË DINJITETIN TONË!

Ejani nesër me krenari, me dinjitet dhe me vendosmëri. Le ta dëgjojnë zërin e punëtorit ata që vendosin për të ardhmen tonë!

PËR PAGË TË DINJITETSHME!

PËR PAGËN E 13-TË!

PËR VLERËSIMIN E DJERSËS DHE SAKRIFICËS SONË!

Me respekt dhe mirënjohje për secilin prej jush,

KRYESIA E SINDIKATËS SË RE – KEK

Kryetar Xhelal Jashari

NESËR MOS TË NA MUNGOJË ASKUSH! SEPSE NESËR NUK PO DALIM VETËM SI PUNËTORË, POR SI PRINDËR, SI FAMILJARË DHE SI NJERËZ QË KËRKOJNË DINJITETIN QË MERITOJNË!