Ekonomi Kosovë Lajme

Nga 23 nëntori, transferet bankare në Kosovë do të kryhen brenda sekondash

Qytetarët dhe bizneset në Kosovë do të mund të realizojnë transfere bankare brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, përmes sistemit të ri të pagesave TIPS-K.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se nga 23 nëntori 2026 do të nisë zbatimi gradual i këtij sistemi, ndërsa nga 23 shkurti 2027 të gjitha bankat në vend do të jenë pjesëmarrëse.

Sipas BQK-së, gjatë periudhës tranzitore prej 3 muajsh, bankat do të përfshihen në mënyrë progresive, duke mundësuar ofrimin gradual të shërbimeve të pagesave të shpejta për qytetarët dhe bizneset.

Përgatitjet për funksionalizimin e sistemit kanë hyrë në fazën përfundimtare, pasi BQK-ja ka miratuar 2 udhëzues që plotësojnë kornizën rregullative për funksionimin e tij.

Udhëzuesi i parë përcakton kushtet e përdorimit të TIPS-K, mënyrën e funksionimit dhe tarifat që do të aplikohen për institucionet pjesëmarrëse.

Ndërkaq, udhëzuesi i dytë përfshin masat për parandalimin e pastrimit të parave, luftimin e financimit të terrorizmit dhe mbrojtjen nga mashtrimet financiare.

Këto masa synojnë menaxhimin e rreziqeve, identifikimin e transaksioneve të dyshimta dhe garantimin e pajtueshmërisë me kërkesat ligjore.

Miratimi i udhëzuesve vjen pas miratimit, muajin e kaluar, të Rregullores për Sistemin e Pagesave të Shpejta TIPS-K, duke finalizuar kornizën rregullative të nevojshme për funksionalizimin e tij.

Sistemi i ri do të mundësojë transferimin e mjeteve brenda pak sekondash, pa u kufizuar në orarin e zakonshëm të punës së bankave, përmes institucioneve pjesëmarrëse.

Sipas BQK-së, ky zhvillim është pjesë e reformave për modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Kosovë, rritjen e efikasitetit dhe sigurisë, si dhe përafrimin me standardet evropiane.

Me përfundimin e periudhës tranzitore, më 23 shkurt 2027, shërbimi pritet të jetë i qasshëm për qytetarët dhe bizneset përmes të gjitha bankave në Kosovë.