Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në “Forumin e Paqes”, që po zhvillohet në Musée de l’Homme në Paris, u ndal te roli i Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Rama theksoi se Shqipëria ka qenë aktive në nxitjen e paqes gjatë dekadës së fundit, ndërsa për statusin e Kosovës deklaroi se pavarësia e saj është një fakt i pakthyeshëm. Ai u bëri thirrje serbëve ta pranojnë realitetin e Kosovës si shtet të pavarur, duke theksuar se nuk ka kthim pas në këtë çështje.
“Unë e kuptoj lirinë si ndjesinë për të ardhur këtu dhe për të folur me ju. Në moshën time 26-vjeçare më duhej që të luftoja për të parë botën. Kështu e përkufizoj unë lirinë që mund të them çfarë të dua, të shkoj kur të dua. Shqipëria ka qenë gjithnjë vend paqedashës dhe përgjatë 10 viteve të fundit kemi qenë shumë aktivë në nxitjen e paqes në rajon. Janë disa gjëra që mund të jesh i lirë sa të duash, por nuk mund të zgjedhësh as kushërinjtë dhe as fqinjët.
Prandaj më mirë është që të shkosh mirë me fqinjët. Jemi munduar të bëjmë mirë aq sa kemi mundur. Sa i takon çështjes së Shqipërisë dhe Kosovës mbetet një pikëpyetje. Kosova është një shtet i pavarur, që njihet nga shumë vende dhe nuk ka më kthim pas, dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi serbe. Sa më shpejt serbët ta shikojnë si një fakt, nuk do të përfshihen nga kjo fantazmë”, tha Rama.
