Ekipi i avokatëve të drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Dr. Gëzim Berisha, ka reaguar publikisht pas raportimeve për rastin në të cilin ai dyshohet për dhunë në familje, duke mohuar pretendimet për kërcënime ndaj bashkëshortes dhe duke kërkuar heqjen e masës së arrestit shtëpiak.
Në reagimin e publikuar, mbrojtja pretendon se disa raportime mediatike kanë paraqitur informacione të pavërteta, veçanërisht ato që e ndërlidhin Berishën me rastin tragjik të Arlinda Zekajt në Pejë, transmeton Periskopi.
Sipas avokatëve, komunikimi elektronik i përmendur në kallëzimin penal ka ndodhur shumë kohë përpara ngjarjes në Pejë dhe nuk përmban asnjë referencë ndaj saj.
Për këtë arsye, mbrojtja e cilëson të pavërtetë pretendimin se Berisha e kishte kërcënuar bashkëshorten se do t’i ndodhte e njëjta gjë si A.Z.
Në reagim, Berisha i mohon kategorikisht pretendimet për ushtrim të dhunës apo keqtrajtim ndaj bashkëshortes.
Mbrojtja pretendon se edhe në shkresat e lëndës, sipas deklarimit të bashkëshortes, nuk konfirmohet ushtrimi i dhunës fizike ndaj saj.
Sipas ekipit të avokatëve, palët janë në procedurë të shkurorëzimit, të iniciuar nga vetë Berisha, ndërsa prej disa muajsh nuk jetojnë së bashku.
Avokatët pretendojnë se mosmarrëveshjet ndërmjet tyre kanë të bëjnë me çështje civile-familjare, kryesisht me shqetësimet për mirëqenien, edukimin dhe vijimin e shkollimit të dy vajzave të tyre të mitura, 11 dhe 7 vjeç.
Ata thonë se posedojnë komunikime dhe prova materiale që, sipas tyre, dëshmojnë përmbushjen e obligimeve prindërore dhe mbështetjen financiare e familjare edhe pas ndarjes.
Gëzim Berisha, i cili drejtonte Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, u arrestua nën dyshimet për veprën penale të dhunës në familje.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, por Gjykata Themelore në Prishtinë e refuzoi këtë kërkesë dhe vendosi që Berisha të qëndrojë në arrest shtëpiak për një muaj.
Në arsyetimin e vendimit, gjykata vlerësoi se kjo masë është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës së dyshuar, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.
Gjykata mori parasysh edhe faktin se Berisha dhe bashkëshortja e tij nuk jetojnë më në të njëjtën bashkësi familjare. Masa është caktuar në një pronë ku e dëmtuara nuk banon, me qëllim të shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë ndërmjet tyre.
Megjithatë, ekipi mbrojtës e konsideron masën të pabazuar në prova dhe kërkon rivlerësimin e saj, duke pretenduar se nuk janë marrë parasysh në mënyrë të plotë rrethanat dhe provat e rastit.
Përveç masës së arrestit shtëpiak, Berisha është përballur edhe me pezullimin e përkohshëm nga marrëdhënia e punës.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka konfirmuar se vendimi për pezullimin e tij hyn në fuqi më 2 nëntor 2026 dhe do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër lidhur me statusin e tij të punës.
Sipas SHSKUK-së, pezullimi është ndërmarrë si pasojë e mbajtjes së tij në arrest, bazuar në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në përfundim të reagimit, avokatët kërkojnë respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë, duke theksuar se të gjitha argumentet dhe provat do t’i paraqesin përmes mekanizmave ligjorë.
Reagimi i plote [pa ndërhyrhe]:
DEMANTIM DHE SQARIM PUBLIK LIDHUR ME RAPORTIMET PËR RASTIN E DR. GËZIM BERISHËS
Duke qenë se dhuna në çdo formë, e veçanërisht dhuna ndaj grave dhe vajzave, është e papranueshme, si ekip mbrojtës i Dr. Gëzim Berishës ndiejmë përgjegjësinë të sqarojmë rrethanat faktike të rastit, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik dhe përgënjeshtrimit të raportimeve të pasakta në media.
1. Përgënjeshtrimi i ndërlidhjes me tragjedinë në Pejë (Rasti A.Z.)
Komunikimi elektronik i përmendur në kallëzimin penal, ka ndodhur shumë kohë më parë dhe nuk përmban asnjë referencë ndaj rastit që ka ndodhur në Pejë. Për këtë arsye, raportimi në disa media se gjoja “Berisha ka kërcënuar bashkëshorten se do t’i ndodhë e njëjta sikurse A.Z.” është plotësisht i pavërtetë dhe i sajuar. Kërkojmë nga mediat përkatëse që të distancohen menjëherë nga shkrimet e tilla, t’i korrigjojnë ato dhe të kërkojnë falje publike.
2. Mohimi i pretendimeve dhe konteksti i vërtetë familjar
Dr. Gëzim Berisha i mohon kategorikisht të gjitha pretendimet për ushtrim të dhunës apo keqtrajtim. Edhe sipas vetë deklarimit të bashkëshortes në shkresat e lëndës, konfirmohet se nuk ka pasur ushtrim të dhunës fizike ndaj saj. Palët janë në procedurë të shkurorëzimit, të iniciuar nga Dr. Berisha, dhe prej disa muajsh nuk jetojnë së bashku. Mosmarrëveshjet ndërmjet tyre kanë natyrë ekskluzivisht civile-familjare dhe lidhen me shqetësimet prindërore për mirëqenien, edukimin dhe vijimin e rregullt të shkollimit të vajzave të tyre të mitura (11 dhe 7 vjeç). Gjithashtu, mbrojtja posedon komunikime dhe prova materiale që dëshmojnë përmbushjen e vazhdueshme të obligimeve prindërore dhe mbështetjen ndaj familjes edhe pas ndarjes.
3. Pabazueshmëria e masës së arrestit shtëpiak
Sipas vlerësimit të mbrojtjes, masa e arrestit shtëpiak nuk mbështetet në provat dhe rrethanat e pasqyruara në shkresat e lëndës. Konsiderojmë se ky vendim duhet të rivlerësohet mbi bazën e një shqyrtimi të plotë dhe objektiv të provave, kushteve ligjore dhe parimit të proporcionalitetit, duke rezultuar me heqjen e tërësishme të kësaj mase.
Në përfundim, kërkojmë respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë dhe lejimin e institucioneve kompetente që ta trajtojnë rastin në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Mbrojtja do t’i paraqesë të gjitha argumentet dhe provat përmes mekanizmave ligjorë, duke respektuar njëkohësisht privatësinë e fëmijëve të mitur dhe integritetin e procedurës
Ekipi i avokatëve i Dr. Gëzim Berishës
Prishtinë, nëntor 2026
