Protesta e mbajtur sot në Prishtinë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ka përfunduar, por kërkesat për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale do të vazhdojnë edhe nesër.
Dhjetëra protestues nga mbarë Kosova marshuan në kryeqytet, duke nisur protestën para Ministrisë së Drejtësisë. Më pas, ata vazhduan drejt Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe objektit të Policisë së Kosovës, për ta përmbyllur protestën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Gjatë protestës, qytetarët shprehën revoltën e tyre përmes parullave dhe thirrjeve kundër institucioneve. “Shteti i ka duart me gjak”, “Rahat s’kena me iu lon” dhe “Jepni dorëheqje” ishin disa nga mesazhet e protestuesve.
Para objekteve institucionale u hodhën mjete piroteknike, ndërsa në dyert e Qeverisë së Kosovës u shkrua fjalia e marrë nga letra e Arlinda Zekajt: “Tani po kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”.
Në dyert e Qeverisë u vizatua gjithashtu një sëpatë me ngjyrë të kuqe, në referencë të mënyrës së vrasjes së Arlinda Zekajt.
Protesta u mbajt me kërkesën për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.
Protesta do të vazhdojë sërish nesër, në Prishtinë, duke filluar nga ora 16:00.
