Kancelari gjerman Friedrich Merz është nisur të enjten në mëngjes drejt Tivatit, në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në samitin vjetor të Procesit të Berlinit.
Merz dhe liderë të tjerë evropianë do të takohen atje me përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sipas Qeverisë Federale të Gjermanisë, temat kryesore të takimit do të jenë rritja ekonomike, konkurrueshmëria dhe siguria, raporton agjencia e lajmeve “dts”.
Përveç nxitjes së bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, takimi synon veçanërisht të avancojë procesin e afrimit të këtyre vendeve me Bashkimin Evropian (BE), i cili kohët e fundit ka shënuar ngecje.
Gjermania e nisi Procesin e Berlinit në vitin 2014. Në kuadër të Ballkanit Perëndimor bëjnë pjesë Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Të gjashta këto shtete kanë vite që kanë aplikuar për anëtarësim në BE.
