Lajme Shqipëri

127 biznese u dëmtuan nga protestat në Shqipëri, vlera arrin në 2.15 milionë euro

Administrata Tatimore e Shqipërisë ka identifikuar deri më tani 127 biznese të dëmtuara gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë, ndërsa vlera totale e dëmeve të raportuara arrin në 2.15 milionë euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, 55 biznese janë evidentuar nga verifikimet e kryera në terren nga punonjësit e administratës, ndërsa 72 subjekte të tjera kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.

Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon, me qëllim mbledhjen dhe përditësimin e informacionit mbi humbjet materiale të shkaktuara në ambientet tregtare.

Administrata Tatimore po kryen kontrolle në terren, ndërsa po shqyrton edhe të dhënat e deklaruara nga vetë bizneset e prekura, raporton Tch.

Përmes një njoftimi, Tatimet u kanë bërë thirrje subjekteve që kanë pësuar dëme të përdorin shërbimin “Dëmi im”, të aksesueshëm në portalin e-Albania, për të raportuar dëmtimet në aktivitetin e tyre.

Dëmet materiale janë shkaktuar gjatë protestave të zhvilluara ditët e fundit në kryeqytet, ku janë dëmtuar ambiente dhe njësi të ndryshme tregtare.