Botë Lajme

Qeveria italiane me vendim: Dënime me burg dhe gjoba deri 20 mijë euro për protestuesit e dhunshëm në Milano

Kushdo që i bashkohet një grupi protestuesish prej pesë ose më shumë personash, i cili rrezikon sigurinë publike në Itali, tani përballet me deri në pesë vjet burg dhe një gjobë që mund të shkojë deri në 20.000 euro, raporton The Indepedent.

Ky dënim është pjesë e një sërë masash sigurie të miratuara të martën, të cilat kanë hyrë në fuqi menjëherë.

Ligjet e reja kundër trazirave krijojnë gjithashtu një vepër të re penale: pjesëmarrjen e dhunshme në demonstrata dhe i bëjnë prindërit financiarisht përgjegjës kur fëmijët e tyre përfshihen në akte vandalizmi e plaçkitjeje. Dënimet ashpërsohen në rastet kur pjesëmarrësit e fshehin fytyrën ose kur ka persona të lënduar.

Këto masa vijnë pas trazirave që përfshinë qytetet e Italisë veriore gjatë fundjavës – përfshirë kryeqendrën financiare, Milanon – ku grupe, kryesisht të rinjsh, shkaktuan kaos, duke thyer dritare, duke plaçkitur dyqane dhe duke sulmuar policinë.

Autoritetet mund të urdhërojnë gjithashtu kompensim të menjëhershëm për çdo dëm të shkaktuar. Nëse janë të përfshirë të mitur, përgjegjësia do të bjerë mbi prindërit e tyre.

“Nuk ka asgjë revolucionare te vandalizmi dhe vjedhja. Vandalizmi dhe vjedhja nuk janë protestë, janë kriminalitet,” – tha kryeministrja Giorgia Meloni në rrjetet sociale, ndërsa njoftonte për masat e reja ndëshkuese.