Shërbime estetike pa licencë, mbetje gjaku në shporta të zakonshme dhe parregullsi me licencat e stafit. Këto janë disa nga shkeljet e gjetura në “Poliklinikën Echo Dent” në Prishtinë, në pronësi të Hysni Gërgurit, ish-kandidat i LDK-së për deputet.
Për këto shkelje, Inspektorati Shëndetësor i Kosovës e ka gjobitur klinikën me 8 mijë euro dhe ka urdhëruar ndërprerjen e shërbimeve estetike.
Në vendimin e Inspektoratit Shëndetësor, të cilin e ka siguruar Gazeta përshkruhen gjetjet e kontrollit të kryer më 23 mars 2026 në klinikën që ndodhet në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.
Gjatë kontrollit, inspektorët kanë gjetur një hapësirë të pajisur për procedura estetike, për të cilat klinika nuk posedonte licencë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në këtë hapësirë janë gjetur centrifugë laboratorike për procedura PRP, pajisje Microneedle, maska me dritë LED, preparate dermatologjike, shiringa dhe epruveta.
“Në dhomën ku ofrohej shërbimi estetik u gjetën shtrati për aplikimin e trajtimeve të ndryshme estetike, centrifuga laboratorike për PRP, Dr.pen Auto Microneedle System, LED Beauty Mask, pako të shumta me shiringa të pa përdorura, epruveta të pa përdorura për PRP, peceta dhe vata pambuku për pastrim, pako me dorëza jo sterile njëpërdorimëshe, lidhësja e Esmarkut, maska të ndryshme për fytyrë (24k Gold Facial, Israel’s Deep Sea Mineral Mud), brusha për shpërndarjen e maskave, Pasqyrë Lemon Bottle, After cream (krem qetësues pas procedurave kirurgjike), shishe të Alkool-it 1l, dezinfektues dhe material shpenzues“, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, inspektorët kanë evidentuar edhe probleme me menaxhimin e mbetjeve mjekësore. Në shportat e zakonshme të mbeturinave janë gjetur shiringa dhe epruveta me gjak, shiringa me plazmë, dorëza të ndotura me gjak, si dhe pambuk e kompresa të përdorura gjatë trajtimeve.
Një tjetër shkelje e evidentuar lidhet me dokumentimin e procedurave estetike.
Sipas gjetjeve të Inspektoratit, këto trajtime nuk ishin regjistruar në kartelat e pacientëve apo në databazën elektronike të klinikës.
Parregullsi me licencat e stafit
Inspektorët kanë evidentuar shkelje edhe në dokumentacionin e personelit shëndetësor.
Sipas vendimit, disa stomatologë që ofronin shërbime në klinikë nuk figuronin të regjistruar si personel i institucionit në sistemin përkatës të Ministrisë së Shëndetësisë.
Po ashtu, janë konstatuar licenca të skaduara të personelit radiologjik dhe infermieror, disa që nga viti 2022 dhe 2023. Në dokumentacion janë evidentuar edhe mungesa të licencave profesionale për disa punonjës.
Pas inspektimit, dhoma ku kryheshin procedurat estetike është mbyllur dhe është vendosur shiriti zyrtar për ndërprerjen e përkohshme të veprimtarisë.
“Pas përfundimit të inspektimit, organet mbikëqyrëse kanë bllokuar dhomën e estetikës duke vendosur shiritin zyrtar “Ndërprerje e përkohshme e veprimtarisë”.
Hysni Gërguri, pronar i “Poliklinikës Echo Dent”, ka qenë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet në zgjedhjet e vitit 2019.
Ai ka qenë edhe kryetar i degës së kësaj partie në Vushtrri dhe asamblist komunal, para se të largohej nga funksionet partiake.

Gazetai ka dërguar pyetje klinikës dhe Gërgurit lidhur me shkeljet e evidentuara nga Inspektorati Shëndetësor.
Insajderi ka kërkuar sqarime për ofrimin e shërbimeve estetike pa licencë, menaxhimin e mbetjeve me gjak dhe punësimin e profesionistëve me licenca të skaduara ose që nuk figuronin të regjistruar në institucion.
Klinika është pyetur edhe nëse e ka zbatuar vendimin për ndërprerjen e shërbimeve estetike dhe nëse ka ushtruar ankesë ndaj gjobës prej 8 mijë eurosh.
Deri në publikimin e këtij artikulli, klinika dhe Gërguri nuk u janë përgjigjur.
