Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar familjet e të miturve që morën pjesë në protestat e dhunshme në Tiranë, duke deklaruar se do të mbajnë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara. Gjatë një paraqitjeje para mediave, Rama tha se faturat e dëmeve do t’i ndjekin deri në fund, ndërsa paralajmëroi masa edhe sa i përket përfitimit nga arsimi falas.
“U them të gjitha familjeve të atyre fëmijëve, që do ta paguani. I lini rrugëve nga 13 vjeç të marrin rolin e mburojës së të tjerëve. Fatura e atyre dëmeve do t’ju përndjekë deri në fund”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se të miturit që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj policisë nuk do të përfitojnë arsim falas dhe asnjë mbështetje financiare nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
“Nuk do të kthehen në shkollë normalisht. Nuk do të kenë arsim falas ata që dalin e dhunojnë policët, pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë. Asnjë kokërr leku nuk do të marrin nga taksat e shqiptarëve”, u shpreh kryeministri.
