Bilanci i personave që kanë marrë ndihmë mjekësore gjatë protestave në Shqipëri ka arritur në 310, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Shifrat përfshijnë periudhën nga 13 tetori deri të hënën, më 19 tetor, në orën 21:00. Nga të lënduarit, 191 janë punonjës policie, 88 protestues dhe 31 kalimtarë.
Pjesëtarët e Policisë përbëjnë më shumë se gjysmën e personave në këtë bilanc, i cili pasqyron trajtimet mjekësore, jo vetëm pacientët që ndodhen ende në spitale.
Gjatë së hënës, në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë janë paraqitur katër kalimtarë për ndihmë mjekësore, sipas raportimeve nga mediat shqiotare.
Njëri prej tyre, përfaqësues i një medie ndërkombëtare, është larguar pas trajtimit, jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër është liruar, ndërsa për dy kalimtarët e tjerë raportohet se vazhdojnë ekzaminimet.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kërkuar trajtim edhe tre persona: një polic, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i medias.
Sipas njoftimit zyrtar, gjendja shëndetësore e të treve është stabile. Ministria nuk ka dhënë në këtë përditësim hollësi për lëndimet e secilit pacient.
Protestat hynë të hënën në ditën e shtatë radhazi. Ato nisën më 13 tetor përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, me pjesëmarrjen e studentëve dhe qytetarëve
REKLAMË
Studentët kanë kërkuar kushte më të mira në universitete dhe konvikte, kosto më të përballueshme studimi, mbështetje financiare dhe më shumë mundësi punësimi pas diplomimit.
Kërkesave për arsimimin iu bashkuan thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe akuzat për korrupsion ndaj qeverisë, të cilat ekzekutivi i ka kundërshtuar.
Demonstratat u shoqëruan me përplasje të ashpra. Grupe protestuesish hodhën gurë, mjete piroteknike dhe koktej molotovi drejt policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Edhe gjatë fundjavës situata mbeti e tensionuar. Të dielën, 18 tetor, përplasjet u shtrinë në qendër të Tiranës, ku u sulmua një komisariat policie dhe u dëmtuan prona.
Në disa protesta morën pjesë edhe nxënës të shkollave të mesme. Prania e të miturve në përleshje i ka shtyrë autoritetet t’u kërkojnë prindërve t’i mbajnë fëmijët larg incidenteve.
Përplasjet kanë nxitur reagime ndërkombëtare. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë kërkoi hetim të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Komisioni Evropian dënoi sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës, duke kërkuar njëkohësisht që ndërhyrjet e policisë të jenë të ligjshme dhe proporcionale.
Rama ka refuzuar kërkesat për dorëheqje, por ka deklaruar gatishmëri për të diskutuar shqetësimet e studentëve. Ai ka këmbëngulur se dhuna nuk mund të pranohet.
