Kosovë Lajme

Mblidhet kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhje, duke filluar nga ora 11:00, ku do të shqyrtojë disa çështje që lidhen me punën e Kuvendit dhe përgatitjet për seancën e ardhshme plenare.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në rend dite është propozimi i agjendës për seancën e radhës, si dhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Ky komision do të merret me përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në bordin e RTK-së: dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.

Në mbledhje do të shqyrtohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.

Kryesia do të diskutojë gjithashtu procesverbalet e mbledhjeve të mëparshme dhe atë të seancës së fundit plenare. Në rend dite janë edhe deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe shqyrtimi i propozimeve e kërkesave.