Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, ka premtuar transparencë të plotë në hetimin e akteve të dhunës dhe trazirave që përfshinë vendin gjatë fundjavës, duke paralajmëruar masa të rrepta të sigurisë, përfshirë shtetrrethime të kufizuara.
Pas një mbledhjeje urgjente të kabinetit qeveritar, kreu i ekzekutivit francez theksoi vendosmërinë e shtetit për të vënë rend dhe ligj.
“Nuk kemi asgjë për të fshehur”, deklaroi prerazi Lecornu, teksa drejtoi gishtin nga grupet e ekstremit të majtë dhe elementët e dyshuar kriminalë si përgjegjësit kryesorë pas përshkallëzimit të tensioneve.
Kryeministri u ndal me theks të veçantë te situata në qytetin e Marsejës, ku sipas tij ka vatra tensioni të lidhura drejtpërdrejt me grupet radikale të së majtës.
Për shkak të rrezikut, autoritetet lokale atje kanë marrë vendim të menjëhershëm për ndalimin e çdo tubimi publik nga ora 12:00 e mesditës deri në orën 20:00.
Lecornu garantoi se personat e vënë në pranga do të marrin dënimet e merituara, duke nënvizuar se reagimi do të jetë i pakompromis përmes drejtësisë penale.
Paralelisht, është iniciuar një hetim i gjerë për të identifikuar dhe sjellë para përgjegjësisë të gjithë individët e tjerë të përfshirë në trazira.
Për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, qeveria u ka kërkuar prefekturave të vendosin shtetrrethime të pjesshme në zona specifike, detajet e të cilave pritet të bëhen publike gjatë ditës.
Lecornu sqaroi se masa e shtetrrethimit nuk do të bllokojë të gjithë Parisin, por do të aplikohet me saktësi në pikat kyçe.
“Disa zona do t’i nënshtrohen shtetrrethimit, veçanërisht ato që lidhen me nyjet e transportit publik, si dhe vendet simbolike dhe me rëndësi të veçantë strategjike”, përfundoi kryeministri francez.
