Situata në Tiranë është tensionuar këtë të diel, pasi Policia e Shtetit ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit e mbledhur pranë Kryeministrisë.
Sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, forcat policore kanë përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe ujë për të larguar qytetarët nga sheshi.
Ndërhyrja policore ka zgjatur rreth dhjetë minuta, kohë gjatë së cilës forcat e rendit kanë arritur ta zbrazin hapësirën para Kryeministrisë.
Pas ndërhyrjes, protestuesit janë shpërndarë në drejtim të lumit Lana dhe parkut të Tajvanit.
Megjithatë, sipas raportimeve, një pjesë e protestuesve kanë nisur të rimblidhen, duke bërë që situata të mbetet e tensionuar.
Deri në këto momente, nuk ka informacione të konfirmuara për persona të lënduar apo të arrestuar gjatë ndërhyrjes.
Protestat në Shqipëri kanë hyrë në ditën e gjashtë, ndërsa studentët dhe qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke shprehur pakënaqësi për korrupsionin, kushtet në arsim dhe situatën ekonomike.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë pesë ditëve të para të protestave janë lënduar gjithsej 272 persona, përfshirë 169 policë, 82 protestues dhe 21 kalimtarë.
