Situata në protestën e të rinjve në Tiranë është përshkallëzuar gjatë orëve të mbrëmjes, ku janë shënuar përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Tensionet shtrihen nga Ura mbi Lanë e deri te ndërtesa e Ministrisë së Brendshme. Gjatë mbrëmjes, ndriçimi publik në bulevard është fikur, ndërsa turmat e protestuesve kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të efektivëve të policisë.
Përveç mjeteve piroteknike, disa prej protestuesve kanë shkulur pllakat e gurit nga trotuaret për t’i përdorur si mjete goditëse gjatë përplasjeve me forcat e policisë.
Situata është tensionuar edhe më tej pas zjarrit që përfshiu një kioskë të mbyllur pranë Lulishtes së Vëllezërve Frashëri. Flakët janë përhapur edhe te pemët përreth, ndërsa tymi ka mbuluar zonën e bulevardit.
Përplasjet rifilluan me breshëri fishekzjarrësh dhe përdorimin e gazit lotsjellës nga policia, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në disa segmente të kryeqytetit.
