Investigime Kosovë Lajme Shëndetësi

Bukuri me injeksione, por pa licencë? “Dermo By Simoneta” dënohet me 5 mijë euro, kush i kontrollon klinikat estetike në Kosovë?

Një klinikë estetike në Ferizaj është gjobitur me 5 mijë euro pasi Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë ka evidentuar se aty ofroheshin shërbime invazive të mjekësisë estetike pa licencë institucionale.

Sipas një vendimi të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilin e ka siguruar subjekti “Derma By Simoneta SH.P.K”, me themeluese Simoneta Bajrami, ofronte trajtime me fillerë dermalë, botoks dhe mezoterapi, ndonëse licenca profesionale e themelueses kishte skaduar që nga viti 2022.

Kontrolli ishte zhvilluar më 12 shkurt 2026, pas kërkesës së Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik.

Gjatë kontrollit, inspektorët nuk kishin gjetur licencën e institucionit shëndetësor dhe as licencat profesionale të stafit.

“Gjatë inspektimit, sipas deklaratës së znj. Simoneta Bajrami – themeluesja, u konstatua se në këtë subjekt ofrohen shërbime të mjekësisë estetike, përfshirë fillerë dermal, Mezo dhe Botox nga vet themeluesja Infermiere me licencë jo valide profesionale prej vitit 2022”, thuhet në vendimin e Inspektoratit Shëndetësor.

Në ambientet e subjektit ishin gjetur produkte injektabile, përfshirë fillerë, botoks dhe preparate për mezoterapi, si dhe dosje për injektimin e vitaminave në flokë.

Sipas vendimit, klinika nuk posedonte terapi anti-shok për raste emergjente dhe as kontratë për asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme mjekësore.

Inspektorët kishin evidentuar edhe mungesën e një regjistri të rregullt të pacientëve.

Në vend të tij, ishin gjetur fletore jozyrtare dhe dosje me inicialet e dhjetëra personave që kishin marrë shërbime invazive.

“Shënimet e mësipërme nuk ishin të regjistruara në regjistrin zyrtar të pacientëve, nuk ishin të specifikuara as vitet as datat e marrjeve të shërbimeve nuk ishin të shoqëruara me dokumentacion përkatës mjekësor dhe nuk përmbanin të dhëna të strukturuara sipas kërkesave ligjore… Kjo situatë përforcon dyshimin se shërbimet e lartcekura janë ofruar realisht jashtë sistemit të dokumentimit zyrtar”, citohet saktësisht në vendim

Më 24 shkurt 2026, Inspektorati Shëndetësor vendosi ndalimin e menjëhershëm të ofrimit të shërbimeve shëndetësore deri në licencimin zyrtar të subjektit, si dhe shqiptoi gjobën prej 5 mijë eurosh.

Insajderi i ka dërguar pyetje Simoneta Bajramit lidhur me shkeljet e evidentuara nga Inspektorati Shëndetësor, zbatimin e vendimit për ndalimin e veprimtarisë dhe pagesën e gjobës prej 5 mijë eurosh.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Bajrami nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.

Nga kërkimet në rrjetet sociale, është vërejtur se “Dermo By Simoneta”, në pronësi të Simoneta Bajramit, ka vazhduar aktivitetin edhe pas vendimit të Inspektoratit Shëndetësor për gjobitjen e saj për ofrimin e shërbimeve mjekësore pa licencë.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, subjekti figuron i regjistruar me emrin “Dermo By Simoneta SH.P.K.” dhe me status aktiv.

Biznesi është regjistruar më 21 janar 2020, në rrugën “12 Qershori”, në Ferizaj. Pronare e vetme e tij është Simoneta Bajrami, e cila zotëron 100 për qind të aksioneve. Kapitali i regjistruar i kompanisë është 20 mijë euro.

Në të dhënat e ARBK-së figuron i deklaruar një punëtor.

Si veprimtari kryesore e biznesit është regjistruar shërbimi i salloneve të floktarisë dhe trajtimeve të tjera të bukurisë, ndërsa si aktivitet dytësor figurojnë aktivitetet e mirëmbajtjes trupore./Insajderi