Kosovë Lajme

Siguria në Kosovë në fokus të takimit mes Policisë dhe drejtuesve të lartë të NATO-s

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka pritur sot në takim admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, si dhe komandantin e ri të misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori.

Gjatë takimit, Hoxha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, i ka njoftuar zyrtarët e lartë ushtarakë për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërmjet Policisë së Kosovës dhe misionit të KFOR-it.

Sipas njoftimit, në takim janë diskutuar edhe çështje të tjera me interes në fushën e sigurisë, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe KFOR-in.

Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, me fokus në shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin për çështjet që lidhen me sigurinë në vend.