Policia e Shtetit ka reaguar pas akteve të dhunës gjatë protestës në Tiranë, duke bërë të ditur se si pasojë e sulmeve që kanë vijuar për disa orë janë plagosur 14 punonjës të policisë.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë që të distancohen menjëherë nga dhuna dhe të ndalojnë sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin me zjarr të pronës publike dhe private.
“ Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë! Sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin e së drejtës për të protestuar”, thuhet në reagimin e policisë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar, duke kërkuar që të mos i mbështesin dhe të mos u bashkohen atyre.
Policia thekson se tubimi nuk duhet të përdoret si mjet për ushtrimin e dhunës, sulmet ndaj efektivëve dhe shkatërrimin e pronës publike e private. Sipas saj, rrezikimi i jetës së punonjësve të policisë dhe qytetarëve duhet të marrë fund menjëherë.
Në reagim, Policia e Shtetit rikujton se e drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por kjo e drejtë nuk i jep askujt mundësinë të ushtrojë dhunë, të sulmojë punonjësit e policisë apo të shkatërrojë pronën publike dhe private.
35 persona të shoqëruar deri më tani
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po vijon punën për identifikimin dhe shoqërimin e personave që kanë kryer akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit.
“Përgjegjësit për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin”, theksohet në njoftimin zyrtar.
Sipas policisë, deri në momentin e publikimit të reagimit janë shoqëruar 35 shtetas, ndërsa veprimet për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunshme po vazhdojnë.
