Kosovë Lajme Sport

Dyshohet se e sulmoi fizikisht ish-futbollisten, reagon Liridon Leci

Analisti i futbollit Liridon Leci ka reaguar lidhur me zhvillimet pas emisionit “Dueli Sportiv”, ku dyshohet se ka sulmuar fizikisht ish-futbollisten Edonisa Aliu, në ambientet e RTV Dukagjinit në Shkabaj.

Leci ka mohuar se ka sulmuar dikë.

“Dua të theksoj se nuk kam sulmuar askënd dhe as nuk kam pasur për qëllim të fyej apo të denigroj ndonjë person, e aq më pak ndonjë femër”, ka deklaruar Leci.

Ndërkohë, sipas një raporti të Policisë së Kosovës, të siguruar nga Paparaci, Edonisa Aliu e ka raportuar rastin në polici, duke pretenduar se është ofenduar dhe më pas është sulmuar fizikisht nga Leci.

Në raport thuhet se incidenti ka ndodhur pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv”, në objektin e RTV Dukagjinit, ndërsa rasti po hetohet nga Stacioni Policor në Obiliq. Sipas të njëjtit raport, Aliu ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq.

Lidhur me rastin, autoritetet kompetente pritet të sqarojnë rrethanat e incidentit.