Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar tentimin për futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Kosovës përmes Pikës së Kalimit Kufitar në Merdare.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është identifikuar më 3 tetor 2026, gjatë kontrolleve në hyrje të pikës kufitare.
Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe duke përdorur pajisje të specializuara, kanë identifikuar dhe sekuestruar mallra të reja të padeklaruara.
Në mesin e mallrave të sekuestruara janë 20 ftohës ajri për procesorë “PURE ROCK PRO3 LX”, tetë pllaka amë “MIGRO ATC 128MB”, 12 ftohës ajri për procesorë “SYSTEM POWER 11”, 15 kufje për kompjuterë me mikrofon dhe 25 USB “Logitech”.
Po ashtu, janë sekuestruar 24 mausë wireless, 15 mikrofona për kompjuterë, 24 kabllo për telefona ose kompjuterë, si dhe pesë sete monitorësh gaming “ALIENWARE”, së bashku me pajisjet përcjellëse dhe kabllot.
Vlera e përafërt e mallrave të sekuestruara, sipas Doganës, është rreth 10 mijë euro.
Dogana e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në luftimin dhe parandalimin e kontrabandës, evazionit dhe shkeljeve të tjera doganore, duke theksuar bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera relevante.
