Partia Demokratike Kosovës është duke kërkuar përkrahjen e partive të tjera politike për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Në një prej neneve kryesore ku flitet për hyrjen në fuqi të Ligjit dhe ndërlidhjen me procedurat që janë duke vazhduar në Hagë, sqarohet se rastet që janë duke u zhvilluar në procedurë paraprake apo në Apel, vazhdojnë të shqyrtohen sipas dispozitave të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ligji zbatohet për secilën procedurë të mëtejshme që në datën kur Gjykata e Apelit të Hagës do të nxjerr vendim për katërshen e UÇK’së.
Megjithatë nenet 15,16 dhe 17 që lidhen me kohën maksimale të burgut deri në 15 vjet, vuajtjen e dënimit në Kosovë dhe mundësinë e faljes nga Presidenti, hyjnë në fuqi menjëherë dhe nuk ndërlidhen me procedurat që janë duke vazhduar në Apel.
“Rastet që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë në zhvillim para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Trupit Gjykues ose Panelit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara, vazhdojnë të shqyrtohen sipas dispozitave të Ligjit nr. 05/L-053 që kanë qenë në fuqi para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ky ligj nuk zbatohet ndaj rasteve nga paragrafi 1 i këtij neni deri në nxjerrjen e aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit.
Nga data e nxjerrjes së aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara, ky ligj zbatohet për çdo procedurë të mëtejshme. Çdo ankesë, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë ose mjet tjetër juridik kundër këtij aktgjykimi paraqitet dhe shqyrtohet nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës në Prishtinë, e cila ka juridiksion ekskluziv për të vendosur për procedurat e mëtejshme. Paneli i Gjykatës Supreme i Dhomave të Specializuara nuk ka juridiksion mbi këto raste.
Pavarësisht paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni, nenet 15, 16 dhe 17 të këtij ligji zbatohen menjëherë nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji për të gjithë personat ndaj të cilëve zhvillohet procedurë penale, si dhe për të gjithë personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara, pavarësisht fazës së procedurës ose faktit nëse aktgjykimi është bërë i formës së prerë” thuhet në Nenin 26 të Projektligjit të propozuar nga PDK.
Sipas këtij Neni, Pjetër Shala e Sali Mustafa kthehen në Kosovë për vuajtjen e dënimit dhe mund të falen poashtu nga Presidenti i vendit. Shala është dënuar me 13 vjet dhe “Cali” me 15 vjet burg.
Gjithashtu Apeli i Speciales s’mund të konfirmojë dënime prej 25 vjetësh për Thaçin e Krasniqin dhe 18 vjet për Kadri Veselin, meqë nenin 15 e përcakton lartësinë maksimale të dënimit deri në 15 vjet.
