Kosovë Lajme

Haziri: Ligji për Dhomat e Specializuara duhet të votohet para 6 tetorit

Organizatori i protestave të përnatshme në Prishtinë, Çlirim Haziri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që Ligji për Dhomat e Specializuara të procedohet dhe të votohet në Kuvend para 6 tetorit.

Haziri, i cili prej 14 ditësh po organizon protesta çdo mbrëmje nga ora 21:00 në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, tha se institucionet duhet të veprojnë dhe të mos e zgjasin më tej këtë proces.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online, ka veçuar pjesëmarrjen e të rinjve, duke thënë se ata janë të bashkuar në qëndrimin e tyre ndaj UÇK-së dhe kundërshtimit të vendimit të Gjykatës Speciale.

“Dallimi është që në ditën e parë ndoshta numri ka qenë më i vogël i njerëzve. Edhe mendoj që është e veçanta e kësaj proteste është se zakonisht protestat në fillimet e tyre janë më të mëdha, pastaj shkon duke u zvogëluar numri i njerëzve që marrin pjesë. Ndërsa këtu në protestën për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe për pjesën më të lavdishme të historisë së Kosovës që 14 ditë nuk është zbehur pjesëmarrja, pra numri i njerëzve shkon duke u rritur”, ka thënë ai.

Ai veçoi pjesëmarrjen e të rinjve, duke thënë se ata janë të bashkuar dhe po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Gjykatës Speciale.

“E veçanta e kësaj proteste është rinia, rinia e Kosovës që janë fuqishëm, janë të bashkuar, janë njëzëri edhe kanë një bindje që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesa më e lavdishme pra e historisë së Kosovës dhe ka nevojë për reagimin e rinisë. Edhe për të dëshmuar edhe treguar mospajtimin e tyre me një vendim të një Gjykate Speciale e cila doli që të jetë super speciale pasi që vendimet që i mori, i mori duke mos u bazuar në fakte dhe prova, po vendime të diktuara e të cilat e goditën rëndë shtetin e Kosovës”, është shprehur organizatori.

Duke folur për motivin e tij personal për të qenë pjesë e protestave, organizatori, i cili është djali i Xhavit Hazirit, njërit prej themeluesve të UÇK-së, tha se është rritur me UÇK-në dhe se mungesën e babait dhe dhimbjen e sakrificës për lirinë e Kosovës vazhdon ta përjetojë edhe sot.

Ai tha se vendimi i Gjykatës Speciale, sipas tij, ka prekur edhe familjet e dëshmorëve, ndaj konsideron se nuk mund të heshtet përballë kësaj situate.

“Unë e kam thënë edhe më herët që unë jam rritur me UÇK-në. Unë edhe sot pas kaq shumë viteve, pas luftës vazhdoj me përjetu çdo ditë e çdo natë mungesën edhe dhimbjen që ka shkaktuar sakrifica për lirinë e Kosovës. Edhe normal që për mua ka qenë vendimi i Gjykatës Speciale, pas atij vendimi mendoj që jemi goditur edhe njëherë edhe na është dënuar gjaku i prindërve tanë, i dëshmorëve. Ndaj nuk mundemi me lejuar me heshtur përballë një padrejtësie të tillë”, ka deklaruar ai.

Haziri tha se historia familjare dhe vepra e babait të tij kanë ndikuar që të mos heshtë përballë asaj që e konsideron padrejtësi.

“Kështu që mendoj që figura dhe historia ime familjare, figura e babës tim edhe pse pa e mbajtur mend, po veç përmes fotografive, po vepra e tij edhe gjaku i dëshmorëve ka ndikuar që ne të mos heshtim edhe nuk do të heshtim deri në realizimin e kërkesave tona. Edhe deri në fund ku mendojmë se do të vijë një ditë që do të triumfojë historia dhe rrugëtimi i UÇK-së përballë një fabrikimi edhe përballë një tregimi të fabrikuar në Serbi kundër lavdisë tonë dhe kundër historisë tonë më të lavdishme”, tha ai.

Organizatori ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të veprojë lidhur me projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se iniciativa tashmë ka kaluar nga Kuvendi në Qeveri.

“Kanë kaluar 14 ditë edhe mendoj që institucionet e Kosovës ditë pas dite e kanë kaluar pas këtij vendimi duke menduar e duke i bërë matjet e tyre qysh kanë me dalë politikisht. Unë mendoj që nuk jemi këtu me prit edhe me menduar për poena politikë. Mendoj që ky projektligj, pra ligji për Dhomat e Specializuara është në qeveri edhe mendoj që qeveria duhet me reaguar, duhet me dërguar atë ligj në Kuvend te deputetët”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Sipas Hazirit, iniciativa tashmë ka kaluar nga Kuvendi në Qeveri dhe duhet të ndiqet procedura për shqyrtimin dhe votimin e saj në Kuvend.

“Pasi që Kuvendi e ka dërguar në qeveri, pra është një proces po me thënë administrativ të cilin duhet me respektuar kur dëshirojmë, Kosova kur do me ndërruar një ligj. Pra prej Kuvendit iniciativa ka kaluar në qeveri e pastaj prej qeverisë ku është çet disa ditë, prej të mërkurës të kaluar është në qeveri. Ligji duhet të kalojë në Kuvend edhe të vendoset për votim e pastaj mendoj që të gjithë shqiptarët do ta votojnë atë ligj se kjo nuk është, UÇK-ja nuk është e një partie politike. UÇK-ja është e popullit, këta deputetë janë të popullit, populli po kërkon votimin e këtij ligji edhe mendoj që të gjithë janë të sinkronizuar, janë në një frekuencë me popullin”, është shprehur organizatori.

Ai kërkoi nga Qeveria që të reflektojë dhe t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve që po protestojnë.

“Përndryshe qeveria konsideroj që jemi në një situatë ku ka nevojë me u koncentruar edhe me vepruar, me iu përgjigjur kërkesave të popullit. Në këtë nxirr unë asnjëherë që 14 ditë nuk e kam përmendur as kryeministrin e as ndonjë emër kështu për me veçuar edhe me kërkuar e me bërë presion. Mirëpo kjo nuk mundet me u zgjatur deri në pafundësi”, tha ai.

Haziri tha se protestuesit kanë një kërkesë konkrete, ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa kërkoi veprim nga Qeveria dhe kryeministri.

“Jemi disa qytetarë të Kosovës, në të gjitha qytetet e Kosovës, në të gjitha qytetet e Evropës e këtu në Prishtinë për natë në orën 21:00 që po kërkojmë, e kemi një kërkesë: ndryshimin e këtij ligji që konsiderojmë që ndikon në mbrojtjen e vlerave tona historike. Kështu që në këtë rast kryeministri e qeveria ka nevojë me reflektuar, ka nevojë me reaguar dhe me vepruar, me e dorëzuar ligjin në Kuvend. Edhe konsiderojmë që kjo është e mundur, është e domosdoshme edhe çdo veprim tjetër do të jetë i papranueshëm”, deklaroi ai.

I pyetur se kur do të përfundojnë protestat, organizatori tha se ato mund të ndryshojnë formë edhe pas votimit të ligjit, pasi sipas tij, qëllimi i protestuesve është shprehja e pakënaqësisë ndaj vendimit të Gjykatës Speciale dhe mbrojtja e vlerave që ata i konsiderojnë të rëndësishme.

“Unë mendoj që protestat do të ndryshojnë formë edhe pas votimit të ligjit, sepse ne nuk po protestojmë kundër institucioneve. Ne po protestojmë për të shprehur pakënaqësinë tonë zëshëm e bindshëm për një vendim të diktuar, siç e thashë më herët, nga një gjykatë super speciale. Kështu që ne do të vazhdojmë në mbrojtjen e vlerave tona edhe në mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me afatin, organizatori tha se ligji duhet të votohet para datës 6, duke iu referuar afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

“Po gjithsesi ky ligj duhet të votohet para datës 6, se nëse pretendohet edhe mendojnë që kanë me çu deri më datën 6 e pastaj më datën 6, e thashë edhe dje këtu në këtë shesh, e bëjnë atë që dinë me bërë më së miri: me çu vendin në zgjedhje. Nuk mendoj që kemi pasur mundësi me heshtur edhe me duruar përballë këtyre lojërave politike që janë aftë me bërë”, shtoi organizatori.