Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, u kthye mbrëmjen e së martës në Shqipëri dhe iu dorëzua autoriteteve, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj saj masën e “arrestit në shtëpi” dhe pezullimit nga detyra.
Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku kishte marrë pjesë në një forum ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit. Pas njoftimit të SPAK-ut për masën e sigurisë, ajo u kthye në Prishtinë dhe më pas, në pikën kufitare të Morinës, iu dorëzua autoriteteve shqiptare. Ajo u shoqërua drejt Tiranës për ekzekutimin e masës së arrestit në shtëpi.
SPAK e ka vënë Hysenin nën hetim për veprat penale të “përkrahjes së autorit të krimit” dhe “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”. Sipas prokurorisë, hetimi lidhet me dosjen e biznesmenit Ergys Agasi dhe dyshimet se informacione sekrete mund të jenë përdorur për ta ndihmuar atë t’i shmangej autoriteteve.
Hetimet e SPAK janë zgjeruar pas materialeve të sekuestruara nga telefonat dhe ambientet e lidhura me Agasin dhe ish-zyrtarin e policisë Uljan Shpataraku. Sipas raportimeve, këto materiale kanë çuar hetuesit edhe te persona të tjerë në polici dhe në institucione të tjera.
Në të njëjtin operacion u arrestuan Fatjon Kalluçi, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, i dyshuar për zbulim të të dhënave sekrete, dhe Embro Sulejmani, punonjës i “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit. SPAK kreu gjithashtu kontrolle në një kompleks vilash në Shkozet të Durrësit.
Në kuadër të hetimeve u kontrollua edhe banesa e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili më pas u paraqit në SPAK për t’u marrë në pyetje.
Pas masës së sigurisë ndaj Hysenit, kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e saj nga drejtimi i SHISH-it, post që e mbante që prej vitit 2023.
Të gjithë personat e përfshirë në hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prer.
