Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, përmes të cilave ishte kontestuar kushtetutshmëria e disa vendimeve të Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, mënyrën e votimit të nënkryetarëve, konstituimin e legjislaturës së re dhe zgjedhjen e Qeverisë.
Kërkesat ishin parashtruar nga deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.
Gjykata, në vendimin e saj të 23 shtatorit 2026, njëzëri e ka shpallur kërkesën të pranueshme.
Megjithatë, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor, të përcaktuar me nenin 66 të Kushtetutës.
Sipas Gjykatës, kalimi i këtij afati ka pasojë edhe fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, në rast se posti është vakant, si dhe për zgjedhjen e Qeverisë, në pajtim me dispozitat përkatëse të Kushtetutës.
Njëkohësisht, Gjykata ka konstatuar se deputetët duhet sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me nenin 67 të Kushtetutës.
Sa i përket Qeverisë, Kushtetuesja ka konstatuar se Vendimi nr. 11-V-007, i 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Ndërkaq, Gjykata ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Kushtetuesja ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme dhe ka urdhëruar që aktgjykimi t’u komunikohet palëve dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare.
Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.
