Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese e ka ndryshuar ndjeshëm terrenin politik në Kosovë. Gjykata ka përcaktuar se afati për zgjedhjen e Presidentit përfundon më 6 tetor 2026, duke e vendosur Kuvendin para një afati të qartë dhe politikisht të pakthyeshëm, shkruan Periskopi.
Kjo nënkupton se skenari për një zvarritje të procesit deri në fund të vitit, e veçanërisht ideja për ta shtyrë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, tashmë përballet me një pengesë të fortë kushtetuese.
Nëse Presidenti nuk zgjidhet deri në afatin e përcaktuar dhe dështon edhe procedura kushtetuese e votimit, Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 45 ditësh.
6 tetori e prish kalkulimin
Pikërisht këtu qëndron zhvillimi politik i ditës.
Për muaj me radhë, beteja për Presidentin është trajtuar jo vetëm si çështje institucionale, por edhe si pjesë e kalkulimeve për të ardhmen e pushtetit. Me vendimin e sotëm, megjithatë, hapësira për lojëra me afatet është zvogëluar ndjeshëm.
Në vend që procesi të mbetet pezull dhe të prodhojë një situatë ku zgjedhjet mund të shtyheshin drejt fundit të dhjetorit, Gjykata ka vendosur një vijë të kuqe: 6 tetori.
Kjo e vë veçanërisht në siklet Lëvizjen Vetëvendosje, e cila tashmë duhet të përballet me një dilemë të pastër politike: ose të gjendet zgjidhje për Presidentin brenda afatit, ose vendi të hyjë në një tjetër proces zgjedhor shumë më herët sesa data 27 dhjetor që është përmendur në skenarët politikë.
Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin sipas procedurës kushtetuese, nuk është më çështje e asaj se kur do t’i konvenonte dikujt të shkonte në zgjedhje.
Kushtetuta është e qartë: pas dështimit të votimit të tretë për Presidentin, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Pra, matematikisht, një dështim pas 6 tetorit e zhvendos debatin nga 27 dhjetori drejt një afati shumë më të hershëm.
Dhe ky është pikërisht problemi për çdo kalkulim politik që synon ta mbajë vendin në pritje deri në fund të dhjetorit.
Vendimi i Kushtetueses e bën më të vështirë për Vetëvendosjen që procesin e Presidentit ta trajtojë si një betejë të pafundme procedurale.
Tashmë ekziston një afat konkret.
Deri më 6 tetor, deputetët duhet ta përmbyllin procesin për zgjedhjen e Presidentit. Gjykata ka konstatuar se periudha 60-ditore për këtë proces ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Kjo do të thotë se çdo strategji politike që mbështetet te zvarritja e procesit deri në dhjetor është dukshëm më e vështirë për t’u realizuar.
Nëse nuk ka marrëveshje politike për Presidentin, rruga kushtetuese mund të çojë shumë më shpejt drejt kutive të votimit.
Dhe në këtë pikë, 27 dhjetori nuk duket më si skenari që mund të kontrollohet politikisht nga njëra palë.
