Kosovë Kronikë Policore Lajme Shqipëri

Çfarë informacionesh sekrete dyshohet se i dha Vlora Hyseni Agasit?

Ish-drejtorja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dyshohet se i ka vënë në dispozicion biznesmenit Ergys Agasi informacione të siguruara për shkak të funksionit që mbante në krye të SHISH-it.

Bëhet fjalë për të dhëna që nuk ishin të destinuara për publikim, ndërsa Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Dyshimet e hetuesve janë ngritur mbi prova të siguruara nga përgjimet, të dhëna të administruara nga telefoni i Agasit në momentin e arrestimit, si dhe nga vëzhgimet e kryera gjatë hetimit.

Në dosje dyshohet se ka edhe komunikime të drejtpërdrejta mes Hysenit dhe Agasit, ndërsa ish-drejtuesja e SHISH-it dyshohet se e ka informuar atë për lëvizje dhe veprime të strukturave policore gjatë kohës që ishte në kërkim.

Gjithashtu, Hyseni dyshohet se i ka përcjellë Agasit informacione personale që lidheshin me të, si dhe të dhëna e dokumente për persona të tjerë, të siguruara nëpërmjet funksionit të saj. Sipas materialeve të administruara gjatë hetimit, Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se në këtë fazë ekzistojnë prova të mjaftueshme për caktimin e masës së sigurisë.