Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përkujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin në 28-vjetorin e rënies së tyre, duke i cilësuar ata si pjesë të një gjenerate veprimtarësh që iu përkushtuan luftës për lirinë e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti shkruan se Fehmi Lladrovci ishte për të shok i ngushtë, bashkëmendimtar, bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar, me të cilin kishte ndarë rrugën e përpjekjeve për lirinë e Kosovës shumë kohë para krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Fehmiu dhe Xheva ishin pjesë e asaj gjenerate të veprimtarëve të lëvizjes kombëtare që nuk u pajtua kurrë me robërinë”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka kujtuar edhe rënien e çiftit Lladrovci më 22 shtator 1998, në betejën e Drenicës.
“Më 22 shtator 1998, në betejën e Drenicës, Fehmiu dhe Xheva ranë krah për krah, ashtu siç kishin jetuar: bashkë në jetë, në ideal dhe në luftë”, shkruan Ahmeti.
Ahmeti ka theksuar se kujtimi për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin mbetet i përjetshëm.
“Vëlla Fehmi, 28 vjet pas rënies sate, më mungon njësoj. Por kujtimi për ty dhe Xhevën është i përjetshëm. Pushoni të qetë, vëlla Fehmi e motër Xhevë. Flamuri për të cilin dhatë jetën sot valon i lirë. Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar Ahmeti.
