Oda Ekonomike Shqiptare dhe Instituti Shqiptaro-Evropian kanë bërë të ditur se kanë nisur një nismë për mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës, të cilat synojnë t’ia dorëzojnë Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryesisë dhe deputetëve të Kuvendit.
Sipas organizatorëve, mbledhja e nënshkrimeve është pjesë e një nisme qytetare për ndjekjen e procedurave që, sipas tyre, çojnë drejt referendumit.
“Ne jemi Oda Ekonomike Shqiptare dhe Instituti Shqiptaro-Evropian, duke i ndjekur procedurat që çojnë drejt referendumit. Kjo është e vetmja rrugë, sipas nismës sonë, për ta ndalur skenarin që po zhvillohet në Evropë dhe për të mos ia dhënë mundësinë Serbisë që, në momentin e saj, të kërkojë zhbërjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që njeh pavarësinë e Kosovës”, thuhet në qëndrimin e tyre.
Organizatorët shprehin shqetësimin e tyre lidhur me mënyrën se si mund të interpretohen në të ardhmen konstatimet dhe narrativat që dalin nga proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tyre, nëse krijohet një narrativë se pavarësia e Kosovës është arritur përmes metodave kriminale, kjo mund t’i japë Serbisë argumente politike dhe juridike në përpjekjet e saj për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe për të sfiduar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Ky është një shqetësim që ne e shohim si rrezik për të ardhmen e Kosovës”, theksojnë ata, duke e lidhur këtë çështje edhe me zhvillimet më të gjera gjeopolitike në Evropë dhe raportet Evropë–Rusi–Serbi.
Në qëndrimin e tyre përmendet edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në opinionin këshillues të 22 korrikut 2010, GJND-ja kishte konkluduar se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Oda Ekonomike Shqiptare dhe Instituti Shqiptaro-Evropian thonë se pikërisht për këtë arsye e konsiderojnë të nevojshme ndërmarrjen e një nisme qytetare para se, sipas tyre, të jetë tepër vonë.
Ata kërkojnë që kjo nismë të mos shihet si projekt politik, por si një proces qytetar.
“Këtë rrugë e kemi filluar ne si qytetarë të Kosovës, jo si politikë. Në nismën tonë nuk ka vend për politikë. Ka vend për qytetarin, për bashkimin e qytetarëve dhe për mbrojtjen e Kosovës së bashkuar”, thuhet në deklaratën e tyre.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nismës dhe të ndjekin procedurat për referendum.
Ata synojnë që 10 mijë nënshkrimet të jenë vetëm hapi i parë i kësaj nisme.
“Jeni të ftuar të gjithë të bëhemi bashkë dhe ta ndjekim këtë rrugë qytetare përmes referendumit, para shpalljes së vendimit të Apelit. Sepse pas Apelit, sipas qëndrimit tonë, edhe referendumi mund të mos e kryejë më rolin që duhet ta kryejë sot”, thuhet më tej.
Nisma përmbyllet me një thirrje për mobilizim qytetar:
10 mijë nënshkrime janë vetëm fillimi.
Kosova duhet të flasë.
Qytetarët e Kosovës duhet të bashkohen.
Dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet.
Oda Ekonomike Shqiptare dhe Instituti Shqiptaro-Evropian – bashkë me qytetarët, për Kosovën e bashkuar.
