Instituti Shqiptaro-Evropian dhe Oda Ekonomike Shqiptare kanë paralajmëruar nisjen e një nisme për mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës, me synimin për të kërkuar inicimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore lidhur me të ardhmen e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Njoftimin e ka bërë Florim Rullani, i cili ka bërë thirrje për një proces që, sipas tij, duhet të zhvillohet përmes mekanizmave demokratikë, kushtetues dhe institucionalë.
Në fokus të kësaj nisme është kërkesa që Kuvendi i Kosovës të shqyrtojë procedurën dhe përputhshmërinë kushtetuese e ligjore të çështjes, përfshirë referencat në nenin 162 të Kushtetutës dhe detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, nënshkrimet do të mblidhen në hapësira publike që do të përcaktohen nga organizatorët.
“10,000 nënshkrime për një proces demokratik dhe institucional”, është mesazhi i kësaj nisme.
Data, ora dhe lokacionet ku do të nisë mbledhja e nënshkrimeve pritet të bëhen publike së shpejti.
Ligji për Nismat Legjislative përcakton se së paku 10,000 qytetarë me të drejtë vote mund të marrin nismë legjislative, ndërsa procedura për mbledhjen dhe verifikimin e nënshkrimeve përcaktohet me ligj.

