Kosovë Lajme

Në nderim të Flora Brovinës, nis Akademia Përkujtimore në Prishtinë

Ka nisur në Prishtinë Akademia Përkujtimore në nderim të mjekes, humanistes, ish-deputetes dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, Flora Brovina.

Familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe figura të jetës publike janë mbledhur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Brovinës.

Në nderim të jetës dhe veprës së saj, u shfaq poezia “Ora e parë” e shkruar nga vet Brovina.

Ceremonia përkujtimore po mbahet sot, më 18 shtator, nga ora 10:00. Pas saj, nga ora 11:30 deri në 14:30, do të zhvillohen homazhet në Hollin e Kuvendit të Kosovës. Varrimi i saj është paraparë në orën 16:00, në Varrezat e Qytetit në Dragodan.

Flora Brovina ka vdekur më 15 shtator 2026, në moshën 76-vjeçare.

Lajmi për vdekjen e saj u bë i ditur nga familjarët.

Flora Brovina u lind më 30 shtator 1949 në Skenderaj. Ajo ishte mjeke pediatre, poete, humaniste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Studimet e mjekësisë i kreu fillimisht në Beograd dhe më pas në Prishtinë, ndërsa u specializua në pediatri në Zagreb. Për shumë vite punoi në Pediatrinë e Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës.

Në fillim të karrierës së saj ajo punoi edhe si gazetare në gazetën “Rilindja”, ku trajtonte kryesisht çështjet shëndetësore dhe sociale.

Në vitin 1992 themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua në mbrojtjen e të drejtave të grave, ndihmën humanitare, shëndetësinë dhe fuqizimin e grave.

Gjatë luftës në Kosovë, Brovina u arrestua në pranverën e vitit 1999 dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burg. Për lirimin e saj u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe institucione nga vende të ndryshme.

Ajo më pas u angazhua në politikë dhe ishte deputete e Kuvendit të Kosovës, si dhe një prej nënshkrueseve të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.