Kosovë Lajme

Gjendet fëmija i humbur në Kukës, ekipet e Kosovës iu bashkuan kërkimeve

Një fëmijë i raportuar i humbur në zonën përreth Aeroportit të Kukësit është gjetur i sigurt dhe është kthyer te familja pas një operacioni kërkim-shpëtimi gjatë natës.

Rasti u raportua në mesnatën e 16 shtatorit 2026, kur Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK) u kontaktua urgjentisht nga Drejtoria e Qarkut të Kukësit për t’iu bashkuar kërkimeve.

Pas marrjes së njoftimit, ekipet e ShKShMK-së u mobilizuan dhe iu bashkuan operacionit në terren, në koordinim me autoritetet dhe ekipet lokale që po zhvillonin kërkimet.

Pas një operacioni intensiv, fëmija u lokalizua me sukses dhe iu dorëzua familjes në gjendje të sigurt.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe ekipeve të specializuara, duke theksuar rëndësinë e reagimit të shpejtë në raste të personave të humbur.

ShKShMK ka falënderuar të gjitha ekipet, institucionet dhe personat e përfshirë në operacion për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar.