Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrahman Rama, ka shprehur bindjen se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shpallen të pafajshëm në Gjykatën Speciale në Hagë.
Rama tha në “Info Magazine”, se beson në drejtësi dhe se katër ish-krerët e UÇK-së do ta fitojnë atë që ai e cilësoi si “betejën e fundit”.
“Unë besoj prapë, jam i prirur që të besoj në drejtësi dhe po besoj që, siç thonë në ushtri, betejën mund ta humbësh, por është shumë me rëndësi luftën mos me e humb”, deklaroi Rama.
Ai tha se Kosova ka fituar shumë beteja dhe se tash është koha që të fitohet edhe kjo betejë.
“Ne kemi fituar shumë beteja. E di që është beteja e fundit dhe, fatkeqësisht, ata katër dhe të tjerë që janë dënuar janë në këtë betejë. Jam shumë i bindur që do ta fitojmë edhe këtë betejë, jo vetëm ata si individë, por i gjithë populli i Kosovës”, u shpreh Rama.
