Në seancën ku po paraqiten fjalët përfundimtare në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mënyrën se si Prokuroria e Specializuar ka transkriptuar materialet audio të përdorura në këtë proces.
Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, tha se transkriptet e përgatitura nga ZPS përmbajnë mijëra raste ku fjalët në audio janë të padëgjueshme.
Sipas saj, ZPS-së i janë dashur më shumë se dy vjet e gjysmë për të transkriptuar audion dhe vetë prokuroria e ka rishikuar disa herë punën e saj.
”Transkriptet që ka përgatitur ZPS kanë më mijëra herë fjalën të padëgjueshme, ZPS-së iu desh më shumë se 2 vjet e gjysmë te transkriptonte këtë audio, e ka rishikuar disa herë punën e vet, ZPS vet nuk ishte e sigurt në fjalët që kishte shkruar në transkript. Kjo është e qartë nga vizita e 3 shtatorit ku e kanë dërguar audion për përforcim. Njësia e përkthimit u përgjigj që nuk mund të transkriptonte audion se ishte krejtësisht e paqartë. Të njëjtën përgjigje mori mbrojtja nga një transkriptues tjetër në nëntor të vitit 2025. Si mundet ZPS t’i kërkojë gjykatësit të dalë në përfundime të caktuara duke qenë se një pjesë e madhe e audios është e padëshifruar”, tha avokatja Menegon.
Ajo kundërshtoi edhe argumentin e ZPS-së se materialet e tjera të jashtme konfirmojnë atë që kanë dëgjuar transkriptuesit. Sipas saj, ky argument nuk qëndron.
“ZPS ka keqinterpretuar parashtrimet e mbrojtjes lidhur me këtë aspekt. Një pjesë e audios ka një cilësi më të mirë, e pamundur për ju si gjykatës të dilni në përfundimin se cilat pjesë janë të paqarta. Transkriptuesit e ZPS besojnë se dëgjonin atë që ishte në audio, por janë mbështetur shumë edhe në pritshmëritë e tyre për mënyrën se si duhet ta interpretonin audion. Ky proces duhet të ishte marrë seriozisht, transkriptuesit duhej të ishin të kualifikuar dhe të punonin në mënyrë të pavarur nga hetuesit e ZPS. Asgjë prej këtyre nuk u bë në këtë rast. ZPS refuzon të na japë me saktësi se si është ndjekur procesi. Kjo qasje nuk mund të rezultojë në transkripte të besueshme. ZPS mundohet të thotë që materiali i jashtëm konfirmon atë që kanë dëgjuar transkriptuesit, ky argument është i gabuar. Transkriptet e ZPS-së nuk kanë një datë, ndryshimet që i janë bërë këtyre transkriptove shtrihen në një periudhë 2-vjeçare, dhe ZPS nuk i ka shënuar këto ndryshime. Si rezultat procesi i transkriptimit nuk është i qartë”.
