Kosovë Lajme

“Ndalohet postimi i jetës luksoze”, neni i çuditshëm i manualit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), përmes Komitetit Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore, ka nxjerrë një opinion të ri për sjelljen e gjyqtarëve në rrjetet sociale. Në kapitullin që trajton jetën private, dokumenti përcakton se “nuk lejohen publikime të fotografive apo videove që paraqesin sjellje të pahijshme, konsumim të tepërt të alkoolit, pjesëmarrje në vende që konsiderohen të papërshtatshme me funksionin e gjyqtarit apo një stil luksoz jetese që nuk përkon me të ardhurat legjitime të tij.”

Kjo rregull duket mjaft e çuditshme: nëse një gjyqtar bën jetë luksi që nuk ia mbulon rroga, aty ka hapësirë për hetim penal e korrupsion, jo thjesht me “etikë” e fshirje fotosh.

Sipas ligjit, gjyqtari është i obliguar të deklarojë pasurinë e tij pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Kur një zyrtar i drejtësisë ekspozon pasuri apo shpenzime që tejkalojnë dukshëm pagën zyrtare, organet e drejtësisë duhet të nisin hetim financiar për verifikimin e origjinës së atyre të ardhurave.

Edhe jeta private duhet të jetë në përputhje me funksionin

Opinioni prek edhe mënyrën se si gjyqtarët paraqesin jetën e tyre private në rrjetet sociale.

Sipas dokumentit, nuk lejohen publikime të fotografive apo videove që paraqesin sjellje të pahijshme, konsumim të tepërt të alkoolit, pjesëmarrje në vende që konsiderohen të papërshtatshme me funksionin e gjyqtarit apo një stil luksoz jetese që nuk përkon me të ardhurat legjitime të tij.

Komiteti mbështetet edhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se gjyqtarët e gëzojnë lirinë e shprehjes, përfshirë edhe për çështje me interes publik.

Megjithatë, sipas Komitetit, funksioni i tyre kërkon vetëpërmbajtje në rastet kur mund të vihet në pikëpyetje autoriteti dhe paanshmëria e gjyqësorit”, thuhet në opinion.