Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetimet lidhur me një incident të raportuar të dielën në parkingun e një qendre tregtare në Prishtinë, ku ishin të përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës, me gradën e kapitenit, dhe dy qytetarë, njëri prej tyre i mitur.
Sipas IPK-së, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje për parkingun, pas së cilës personat e përfshirë janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit.
Gjatë procedurave, në IPK janë paraqitur pretendime për tejkalim të autorizimeve policore.
Njëri prej qytetarëve ka pretenduar se pas shoqërimit në polici, ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor në Stacionin Policor në Graçanicë.
Lidhur me këto pretendime, hetuesit e IPK-së, në koordinim me prokurorin kompetent, kanë ndërmarrë veprime hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Zyrtari policor i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së, ndërsa hetimet po zhvillohen për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Ndërkohë, ndaj qytetarëve të përfshirë hetimet do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprën penale të sulmit, ndërsa ndaj zyrtarit policor me gradën e kapitenit IPK-ja po zhvillon hetime nën dyshimin për kanosje.
IPK ka theksuar se rasti është ende në fazën fillestare dhe se hetimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin, duke respektuar të drejtat e palëve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.
