Një ngjarje e dhimbshme ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, ku një 73-vjeçar ka ndërruar jetë.
Sinjali ka mësuar se personi që humbi jetën është Rexhep Morina, 73 vjeçar.
Rasti është raportuar më 4 shtator, rreth orës 19:40, pasi autoritetet janë njoftuar për një person pa shenja jete në zonën e Stacionit të Autobusëve, në rrugën “Agim Ramadani”.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njësitë policore dhe ekipi i Emergjencës, ndërsa mjekët kanë bërë përpjekje për ta reanimuar Morinën.
Pavarësisht përpjekjeve për t’ia shpëtuar jetën, 73-vjeçari nuk ka arritur të mbijetojë dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.
Në vendngjarje kanë dalë më pas edhe hetuesit dhe Forenzika, ndërsa është njoftuar Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Prokurori i Shtetit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes.
