Një informacion lidhur me një shtetas 33-vjeçar nga Kumanova, të identifikuar si Adrian Iseni, ka mbërritur në redaksinë e Kosova Free Voice Agency nga një lexues i gazetës.
Sipas informacionit dhe materialit fotografik të dërguar nga lexuesi, për të cilat redaksia disponon edhe bisedën e dokumentuar me burimin, Iseni dyshohet se është ndaluar në territorin e Serbisë, pasi kërkohej nga autoritetet e Austrisë përmes mekanizmave të bashkëpunimit policor ndërkombëtar.
Sipas të njëjtit informacion, 33-vjeçari dyshohet se ka qëndruar rreth dy muaj në një institucion korrektues në Serbi, përpara se të transferohej drejt Austrisë.
Kosova Free Voice Agency sqaron se, deri në publikimin e këtij raportimi, nuk ka pranuar ende konfirmim zyrtar nga autoritetet kompetente në Serbi, Austri apo Maqedoninë e Veriut lidhur me ndalimin, procedurat ligjore apo arsyet e kërkimit të personit në fjalë.
Për këtë arsye, redaksia e paraqet informacionin me rezervën e nevojshme dhe si informacion të ardhur nga burim i jashtëm, deri në momentin e marrjes së një përgjigjeje zyrtare.
Redaksia e Kosova Free Voice Agency u është drejtuar autoriteteve përkatëse për verifikim dhe do ta përditësojë këtë lajm në rast të marrjes së një përgjigjeje apo konfirmimi zyrtar.

