Botë Lajme

Ministri estonez i Mbrojtjes jep dorëheqjen pas skandalit 70 milionë eurosh për armatime për Ukrainën

Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, ka njoftuar dorëheqjen nga posti pas zbulimit të një skandali lidhur me përdorimin e 70 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian për blerjen e predhave të artilerisë për Ukrainën.

Sipas transmetuesit publik estonez ERR, në vitin 2024 qeveria kishte lidhur kontrata për furnizimin me municione, duke paguar paraprakisht rreth 70 milionë euro përmes European Peace Facility, fondi i BE-së që përdoret gjithnjë e më shumë për mbështetjen ushtarake të Ukrainës.

Problemi është se kompanitë e përfshira në marrëveshje nuk kishin shitur më parë as edhe një predhë artilerie. Për shkak të kontratave të diskutueshme, Estonia tashmë është përfshirë në një proces gjyqësor lidhur me marrëveshjet.

Pevkur, i cili ka qenë ministër i Mbrojtjes që nga viti 2022, tha se vendosi të largohej për të marrë përgjegjësinë politike për institucionet që varen nga ministria e tij, transmeton Telegrafi.

“Edhe pse ministri nuk numëron çorapet dhe municionet dhe nuk zhvillon negociatat për kontratat, kritikat e Zyrës Kombëtare të Auditimit ngrenë çështjen e përgjegjësisë politike”, deklaroi ai.

Pevkur theksoi se nuk i kishte lexuar kontratat individuale, duke argumentuar se ministri zakonisht nuk përfshihet në detajet e procedurave konkrete të prokurimit ushtarak.

“Ministri i Mbrojtjes nuk zhvillon negociata kontraktuale. Ministri i Mbrojtjes nuk numëron çorapet dhe municionet. Ministri merr vendimin themelor për të mbështetur Ukrainën”, tha ai.

Dorëheqja vjen pasi Zyra Kombëtare e Auditimit të Estonisë kishte kritikuar muajin e kaluar mënyrën se si vendi po menaxhonte shpenzimet e mbrojtjes, duke ngritur pikëpyetje edhe për aktivitetin e Qendrës Estoneze për Investime në Mbrojtje, agjencia përgjegjëse për prokurimet ushtarake.

Skandali prek fondet e European Peace Facility, një mekanizëm i BE-së i krijuar për forcimin e sigurisë evropiane dhe parandalimin e konflikteve, i cili pas pushtimit rus të Ukrainës është përdorur gjerësisht për financimin e ndihmës ushtarake për Kievin.

Pevkur është ministri i dytë baltik i Mbrojtjes që largohet nga posti në një periudhë të shkurtër. Në maj, dorëheqjen e kishte dhënë edhe ministri letonez i Mbrojtjes, Andris Sprūds.