Kosovë Lajme Politikë

Kurti s’tregon nëse do të ketë kandidat të ri për President, thotë se marrëveshja me LDK’në “s’është zhvlerësuar”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja politike e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës ka marrë një “goditje të rëndë”, por se ajo ende “nuk është zhvlerësuar”.

I pyetur nëse do të ketë bisedime të reja me kryetarin e LDK-së, Kurti tha se marrëveshja përbën një sukses të dy subjekteve politike dhe se ende ekziston mundësia për shmangien e zgjedhjeve dhe forcimin e institucioneve.

“Marrëveshja politike që kemi arritur ka marrë një goditje të rëndë, mirëpo nuk është zhvlerësuar. Është sukses i madh i dy subjekteve tona politike dhe ata që e duan stabilitetin institucional, evitimin e zgjedhjeve, forcimin e shtetit e kanë shansin”, deklaroi Kurti për Ekonomia Online.

Ai theksoi se nga kjo marrëveshje politike ka dalë edhe një emër konkret për kandidat.

“E kjo është, emri i përveçëm që ka dalë nga marrëveshja politike, përkatësisht Profesor Bekim Sejdiu”, tha Kurti.

Ndërkaq Kurti refuzoi të deklarohet nëse do të ketë kandidat tjetër për president./E