Lajme Sport

Kosova pranon flamurin e “Prishtina 2030”, Përparim Rama: “Çfarë emocioni, çfarë krenarie! Urime Prishtinë”

Kosova ka pranuar zyrtarisht flamurin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, gjatë ceremonisë mbyllëse të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026” në Itali.

Delegacioni kosovar, i udhëhequr nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mori flamurin që simbolizon kalimin e organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive te kryeqyteti i Kosovës.

Pas ceremonisë, Rama reagoi përmes një postimi në Facebook, duke shprehur emocionet për momentin historik.

“Çfarë emocioni, çfarë krenarie! Urime Prishtinë”, shkroi ai.

Gjatë ceremonisë mbyllëse, flamuri gjigant i Kosovës u ngrit përkrah atij të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe të Italisë, vendit nikoqir të edicionit të vitit 2026.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Freel%2F1593604379217304%2F&show_text=0&width=267

Pas ngritjes së flamurit u intonua edhe himni i Kosovës, moment që u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit.

Flamurin e Kosovës gjatë parakalimit të sportistëve në ceremoninë mbyllëse e mbajtën karateistët Islam Selmani dhe Fortesa Orana.

Prishtina, nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030

Vendimi që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të organizohen në Prishtinë ishte marrë më 8 shtator 2023 në Heraklion të Greqisë.

Organizimi i “Prishtina 2030” konsiderohet ngjarja më e madhe sportive që do të zhvillohet deri më tani në Kosovë.

Në katër vitet e ardhshme pritet të realizohen investime të konsiderueshme në infrastrukturën sportive dhe në fusha të tjera të nevojshme për organizimin e garave dhe pritjen e mijëra sportistëve nga vendet e Mesdheut.

Kosova do të paraqitet për herë të katërt në Lojërat Mesdhetare pikërisht në edicionin që do ta organizojë vetë në vitin 2030.

Rekord medaljesh për Kosovën në “Taranto 2026”

Kosova e përfundoi pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” me gjithsej nëntë medalje, rezultati më i mirë i saj deri më tani në këtë ngjarje sportive.

Sportistët kosovarë fituan dy medalje të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.

Medaljet e arta u siguruan nga boksierja Donjeta Sadiku dhe karateisti Islam Selmani, duke bërë që flamuri i Kosovës të ngrihej dy herë në pozitën më të lartë gjatë garave.

Kosova mori pjesë në “Taranto 2026” me 163 sportistë, ndërsa nëntë prej tyre arritën të fitojnë medalje.

Në paraqitjen debutuese në “Tarragona 2018”, Kosova kishte fituar katër medalje, ndërsa në “Oran 2022” kishte arritur deri te gjashtë të tilla.

Me nëntë medaljet e fituara në Taranto, Kosova vendosi rekord të ri, ndërsa tashmë vëmendja kalon te përgatitjet për “Prishtina 2030”.