Kosovë Kronikë Policore Lajme

Dogana ndalon kontrabandimin e një arme ajrore në Aeroportin e Prishtinës

Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen e një arme ajrore të padeklaruar dhe të ndaluar për import në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Ngjarja ka ndodhur gjatë kontrolleve rutinore të udhëtarëve, ku një person, i cili kishte kaluar përmes kanalit të gjelbër duke deklaruar se nuk kishte mallra për të deklaruar, është përzgjedhur për kontroll të bagazhit përmes pajisjes së skanimit.

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit me skaner, zyrtari doganor ka vërejtur dyshime lidhur me përmbajtjen e bagazhit. Pas kontrollit fizik, në të është gjetur një revole ajrore e markës “FB Record”, e kalibrit .177, e cila ishte e çmontuar dhe e mbështjellë me foli alumini dhe rroba.

Sipas Doganës, mënyra e paketimit dyshohet se ishte përdorur për fshehjen e armës dhe shmangien e kontrollit.

Arma është ndaluar dhe i është dorëzuar Policisë Kufitare në Aeroportin e Prishtinës për procedim të mëtejmë. Ndërkohë, ndaj udhëtarit pritet të zhvillohen procedurat përkatëse administrative dhe ligjore.