Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se komunat e Kosovës nuk po kërkojnë privilegje, por respektimin e të drejtave dhe kompetencave që u garantohen me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.
“Sot komunat e Kosovës folën me një zë. Mesazhet e përcjella nga ky shesh nuk janë partiake dhe nuk përfaqësojnë kërkesa personale të kryetarëve. Ato përfaqësojnë interesat e komunave dhe qytetarëve të tyre. Komunat nuk po kërkojnë privilegje. Ato po kërkojnë atë që u takon me Kushtetutë dhe me ligj: buxhetin, pronën, kompetencat dhe trajtimin e barabartë institucional”, deklaroi Ibrahimi.
Para qytetarëve, ai renditi shtatë kërkesat kryesore të komunave ndaj Qeverisë:
-Kompensimi i obligimeve financiare nga kontratat kolektive
Kërkohet që Qeveria t’i kompensojë obligimet financiare që rrjedhin nga kontratat kolektive dhe që aktualisht po rëndojnë buxhetet komunale përmes vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore.
-Mbulimi i kompensimit retroaktiv për përvojën e punës
Kërkohet që kompensimi retroaktiv për normën e përvojës së punës prej 0.5%, nga marsi i vitit 2023, si dhe për vitet 2024 dhe 2025, të mbulohet nga buxheti qendror dhe jo nga buxhetet komunale.
-Rishikimi i kritereve të grantit specifik për arsim
Kërkohet rishikimi i kritereve të grantit specifik për arsim, pasi mbi 3,100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim, duke krijuar një barrë të konsiderueshme shtesë për komunat, e cila vetëm gjatë këtij viti tejkalon 24 milionë euro.
-Ndalimi i centralizimit dhe respektimi i kompetencave komunale
Kërkohet ndërprerja e praktikave të centralizimit dhe e cenimit të kompetencave të komunave, përfshirë çështjet që lidhen me pronën komunale, procedurat e rekrutimit dhe ushtrimin e kompetencave të tjera vetanake.
-Përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare
Kërkohet përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian, si dhe për zvogëlimin e mjeteve të Grantit të Performancës Komunale.
-Kompensimi i dëmeve nga fatkeqësitë natyrore
Kërkohet kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që nga viti 2022.
-Krijimi i grantit të katërt për investime kapitale
Kërkohet krijimi i një granti të katërt për investime kapitale, me kritere të qarta, të përcaktuara me ligj dhe transparente për të gjitha komunat.
