Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku kanë arritur marrëveshjen për presidentin.
Ata janë pajtuar për emrin e Bekim Sejdiut.
Pas takimit me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, Abdixhiku tha në një konferencë për media se bisedimet nuk kanë qenë të lehta, por se të dyja palët kanë zhvilluar takime intensive me qëllim të gjetjes së një emri që do të mund të pranohej nga të gjithë.
“Bisedimet nuk ishin të lehta, por ishin shteruese. Kemi pasur takime intensive”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se gjatë diskutimeve të dyja palët janë dakorduar për një emër konsensual për president.
“Dy palët kemi qenë të përkushtuara që të përcaktohet një emër konsensual. Në mesin e emrave që kemi diskutuar, jemi dakorduar për një emër dhe ai është profesori Bekim Sejdiu”, deklaroi Abdixhiku.
Sipas tij, dakordimi për kandidaturën e Sejdiut është pjesë e marrëveshjes së arritur gjatë takimeve ndërmjet LDK-së dhe LVV-së.
Tutje Abdixhiku ka treguar pak nga biografia e Bekim Sejdiut, i cili e mori fjalën dhe falënderoi LDK-VV për zgjedhjen e emrit të tij si kandidat për President.
