Një grua 22-vjeçare ka mbetur e vrarë, ndërsa pesë persona të tjerë janë plagosur në një sulm me armë zjarri që dyshohet se ndodhi gjatë një feste në veri të Zvicrës.
Ngjarja ndodhi gjatë natës në një pistë garash me kuaj në Aarau, pranë Cyrihut, ku po zhvillohej një festë që vazhdoi deri në orët e para të së dielës, shkruan BBC.
Policia bëri të ditur se 22-vjeçarja vdiq në vendin e ngjarjes. Të plagosurit janë katër burra dhe një grua, të moshës 24 deri në 27 vjeç, të cilët po trajtohen në spital. Gjendja e tyre varion nga lëndime të lehta deri në të rënda.
Autoritetet kanë nisur një operacion për kapjen e autorit, ndërsa identiteti dhe motivi i tij ende nuk dihen.
Policia është njoftuar për të shtënat rreth orës 02:30 sipas kohës lokale. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar.
