Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka publikuar një sërë rekomandimesh për qytetarët, me qëllim mbrojtjen e tyre nga temperaturat e larta.
Përmes një njoftimi, IKShPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin qëndrimin e gjatë në diell, veçanërisht gjatë orëve të mesditës, kur temperaturat dhe ekspozimi ndaj rrezatimit diellor janë më të larta.
Instituti ka rekomanduar përdorimin e kapelës, syzeve të diellit dhe kremit mbrojtës me faktor të përshtatshëm ndaj rrezatimit ultraviolet (UV).
Qytetarëve u është bërë thirrje gjithashtu që të konsumojnë mjaftueshëm ujë dhe lëngje pa sheqer gjatë ditëve të nxehta, për të shmangur dehidratimin.
IKShPK-ja ka apeluar që gjatë periudhave me temperatura të larta qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit.
