Kosovë Lajme Politikë

Behrami: Albin Kurti u fsheh edhe në Rambuje, edhe në ditën e shpalljes së pavarësisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, duke e akuzuar se po i shmanget përgjegjësisë politike dhe pjesëmarrjes në Kuvend.

Behrami, gjatë një deklarimi para ndërtesës së Qeverisë, tha se Kurti “po fshihet” dhe se, sipas tij, kjo është bërë pjesë e mënyrës së tij politike.

“Sot Albin Kurti, ashtu siç e ka edhe traditë, sërish po fshihet. Sërish iku përmes rrugëve ilegale duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë.Albin Kurti është fshehur në Rambuje kur ne festuam nënshkrimin e lirisë sonë. Është fshehur në Vjenë kur ne negocionim pavarësinë tonë. Është fshehur në ditën kur flamuri ynë u prezantua në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në ditën e shpalljes së pavarësisë”, tha ai.

Behrami gjithashtu e akuzoi Kurtin se po i shmanget përgjegjësisë që, sipas tij, e ka në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.

“E gjithë jeta i shkon duke u fshehur nga përgjegjësia që e ka edhe me Kushtetutë, edhe me ligj”, u shpreh deputeti i PDK-së.

Në fund, Behrami i bëri thirrje Kurtit që të paraqitet në Kuvend.

“Edhe një herë po të ftoj që të vish në Kuvend”, tha Behrami.