Një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në Prizren, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar bashkëshortin e saj, 81-vjeçar, nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas Policisë, rasti është raportuar në orët e para të mëngjesit të 26 gushtit, rreth orës 01:30. Viktima, me inicialet L.D., është gjetur pa shenja jete në një shtëpi banimi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e saj.
Në shtëpi është gjetur edhe bashkëshorti i viktimës, B.D., rreth 81-vjeçar, i cili fillimisht është shoqëruar në stacionin policor.
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit, njësia e forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, autoritetet kanë ngritur dyshime se rasti mund të jetë vrasje e rëndë.
Policia ka bërë të ditur se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë duarsh, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.
Trupi i pajetë i 80-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor.
I dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.
‘Trupi i pajetë është dërguar në IML Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa i dyshuari, bashkëshorti i viktimës, rreth 81 vjeçar (B.D.), është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë. Vlen të theksohet se, sipas evidencave të policisë, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit”, konfirmoi Toger Shaqir Bytyqi.
