Kosovë Kronikë Policore Lajme

Policia e Kosovës kryen dy ekstradime brenda një dite

Policia e Kosovës ka njoftuar se, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses dy ekstradime.

Sipas njoftimit, më 26 gusht 2026, nga Maqedonia e Veriut në Kosovë është ekstraduar shtetasi kosovar G.K., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

G.K. ishte i përfshirë në veprat penale “Vjedhja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa ishte dënuar me 3 vjet burgim efektiv.

Ekstradimi është realizuar në pikëkalimin kufitar “Hani i Elezit”, ku G.K. u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në DRP Prizren, për procedurat e mëtejshme ligjore.

Po më 26 gusht, nga Kosova në Gjermani është ekstraduar shtetasi gjerman F.R., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë gjermane.

F.R. dyshohet se është i përfshirë në veprën penale “Trafikimi me narkotikë”.

Ky ekstradim është realizuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku i dyshuari u është dorëzuar zyrtarëve përgjegjës të Policisë së Gjermanisë për procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto ekstradime janë realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë.