Kosovë Lajme

Nis aksioni për kontrollin e peshës së bukës dhe peshoreve në furrat e Kosovës

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur aksionin për mbikëqyrjen e peshës së bukës dhe verifikimin e vlefshmërisë së peshoreve në furrat e bukës në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit, inspektimet kanë filluar në rajonin e Prishtinës, ndërsa në ditët në vijim pritet të shtrihen edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Aksioni është ndërmarrë pas ankesave të vazhdueshme të konsumatorëve për dyshime se pesha e deklaruar e bukës nuk përputhet me peshën reale të produktit të shitur.

Gjatë kontrolleve, zyrtarët e AMK-së po verifikojnë rregullsinë dhe afatin e vlefshmërisë së peshoreve që përdoren nga furrtarët. Po ashtu, po kontrollohet pesha e bukës dhe nëse operatorët ekonomikë posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike.

“Sipas Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, mospërputhja ndërmjet masës së deklaruar dhe masës reale të produktit konsiderohet mashtrim ndaj konsumatorit. Për këtë shkelje, bizneset mund të gjobiten nga 1,000 deri në 10,000 euro”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, përdorimi i peshoreve ose mjeteve të tjera matëse të parregullta mund të ndëshkohet me gjobë prej 500 deri në 1.500 euro për subjektet juridike, në bazë të legjislacionit në fuqi për metrologjinë.

AMK dhe IQMT u kanë bërë thirrje furrtarëve që të verifikojnë në kohë vlefshmërinë e peshoreve, të sigurojnë matje të sakta dhe të respektojnë kërkesat ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve.

Bizneset që nuk posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike janë ftuar të aplikojnë sa më shpejt pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për pajisjen me dokumentacionin përkatës