Kosovë Kronikë Policore Lajme

Ngritet aktakuzë për spiunazh dhe shantazh ndaj Fatmir Shehollit

Këtë të martë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fatmir Shehollit, për dy vepra penale:, “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas aktakuzës, nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, Sheholli, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.

Bazuar në të dhënat e prokurorisë, Sheholli akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Po ashtu, F.Sh., akuzohet për veprën penale “Shantazh”, pasi gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, Fatmir Sheholli i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit.

Rasti i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit.